| Në derbin e Pollogut, “Rinia” dhe “Drita” i ndanë pikët |
14.11.10
Në kuadër të javës së parafundit të stinorit vjeshtor në ligën e dytë shtetërore të futbollit, KF “Rinia” nga Gostivari dhe KF “Drita” nga Bogovina, luajtën barazi 1:1 (1:1).
Rezultati u zhbllokua që në minutat e para të lojës kur sulmuesi Ibrahim Jusufi i KF “Rinia” pas një gjuajtjeје teknike nga pika e bardhë shënoi golin e vetëm për ekipin mysafir. Nikoqirët arritën ta barazojnë rezultatin në minutën 31 pas një tollovie në kuadratin e mysafirëve nëpërmjet golit të Amir Alijit. Në pjesën e dytë të ndeshjes të dyja ekipet sulmonin dhe krijuan nga disa raste për të shënuar, por falë mbrojtjes së mirë të dy portierëve ,asnjëra palë nuk arriti të shënojë. Në KF “Rinia” vlerësojnë se loja ishte korrekte dhe e baraspeshuar për nga cilësia e të dyja ekipeve. “Duke pasur parasysh se ekipi nga Bogovina është një ekip me përvojë të madhe në ligë të dytë dhe përparësinë se ata luajtën në terren të vet, duhet të jemi të kënaqur me rezultatin pozitiv nga kjo ndeshje”, shprehet trajneri Jeton Nesimi. Pas këtij barazimi, ekipi gostivaras ruajti pozicionin e shtatë në tabelë me 14 pikë të arkëtuara nga 12 ndeshje. Vlen të theksohet se derbin e Pollogut në stadiumin e Bogovinës e ndoqën rreth dyqind simpatizues të KF “Rinia”. Ndeshjet e javës së fundit të pjesës vjeshtore të kampionatit do të luhen më 21 nëntor me fillim në orën 13. Në stadiumin e qytetit në Gostivar, KF “Rinia” do të përballet me KF “Novaci” i cili mban vendin e parafundit në tabelë me 10 pikë të arkëtuara. Shërbimi për informim |
| < I mëparshmi | Tjetri > |
|---|
| Ballina |
| Kryetari i Komunës |
| Këshilli i Komunës |
| Kontakte |