Skip to content
..:: Ballina
Transporti i nxënësve në komunën e Gostivarit - informatë
03.03.10
sala_small_logo.jpgInformatë  për organizimin e transportit të nxënësve të shkollave fillore dhe të  mesme në Komunën e Gostivarit, në periudhën kohore Shtator- Dhjetor 2009 dhe për vitin 2010
E drejta për transport falas të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme është kategori e garantuar ligjore që bie nën jurisdikcionin e Ligjeve përkatëse për arsim. Këtë të drejtë e gëzojnë nxënësit e shkollave fillore nëse vendbanimi i tyre është në një largësi 2 km nga shkolla dhe nxënësit e viteve të para dhe të dyta të shkollave të mesme, nëse janë më larg se 2,5 km .

Në Komunën  e Gostivarit sipas të dhënave të administratave të shkollave, transporti i nxënësve është organizuar dhe organzohet  për këto shkolla fillore dhe të mesme: SH.F. Ismail Qemali – Gostivar, SH.F. Mustafa Kemal Ataturk – Gostivar, SH.F. Bashkimi – Gostivar, SH.F.  Goce Dellçev – Gostivar, SH.F. Çajlа - f.Çajlë, SH.F.  Gjon Buzuku – f.Sërmnovë, SH.F. Faik Konica – f.Debresh, SH.F.M. Enver Stafai – Gostivar, - SHMK Gostivar – Gostivar , SHMEK – Gostivar – Gostivar dhe SHMTK – Gostivar.

Organzimin e transportit për vitin buxhetor 2009 në shkollat fillore e kishte realizuar komuna, ndërsa në shkollat e mesme e kishin realizuar vetë shkollat.
Udhëheqësia e re komunale prej muajit prill e deri në fund të vitit shkollor 2008/2009 përmes shërbimeve përkatëse i bëri të gjitha analizat e nevojshme për të konstatuar realizimin e transportit të nxënësve në periudhën e kaluar.

U konstatuan shumë parregullsi me sa vijon:
- regjistrat e nxënësve që gëzojnë të drejtën e transportit falas nuk ishin azhurnuar për vite me rradhë,
- kontratat e lidhura me transportuesit nuk kishin pasqyrë përcjellëse për shpërndarjen numerike të nxënësve, në bazë të kapacitetit të mjeteve të transportit,
- nuk kishte dëshmi për numrin e mjeteve transportuese e as për kapacitetin e tyre bartës,
- nuk u gjetën dëshmi për lidhje kontratash në mes realizuesve dhe nënrealizuesve në mungesë të kapacitetit transportues,
- çmimet e shërbimit transportues për nxënës, ishin më të larta se ato të tarifës publike, pa argumentim konkret për këtë  rritje,

Duke u nisur nga fakti se Ligji për furnizime publike (Gazeta zyrtare e RM nr. 136/07).  në nenin 24 paragrafi 1 parashef mundësinë e furnizimit grupor,  pasi në regjistrin indikativ të organeve kontraktuese figurojnë edhe shkollat edhe komuna, duke siguruar paraprakisht  pëlqimin e shkollave, Komisioni për furnizime publike i komunës mori  qëndrim që të bëhet shpallje e re publike nga ana e Komunës për nevojat e transportimit të nxënësve.

Shpallje publike u realizua gjatë muajve Korrik dhe Gusht të vitit 2009. Në shpalljen publike për furnizm të transportit të nxënësve u paraqitën ndërmarrje transportuese si në vijim: Valdet Kom, Rostfrai Stil, Enis Travel, Iba Trejd, Negotina Ekspres, Tp Buki, Tp Ar-Es, Tp Citron, Rojal Xhesko, Gostivar Ekspres, TP Union, Enes Turs, Ananas, Mimi Trans, Aurora, Atiturs, Naz Komerc, Baki Kompani, Albert Trans, Pajtim ShPKNJP, TP Buki, Mirto Trans, Durmo Turs, Zhas Bus, Bashkim Turs, Qufo TP dhe Nasir Turs.

Nga analizat e bëra dokumentacionit të deponuar në procedurë tenderimi, rezultoi se vetëm dy ndërmarrje transportuese i plotësonin kushtet teknike për të hyrë në fazën e evaluimit: Bashkim Turs nga Tetova dhe Durmo Turs nga Gostivari.
Lënda e furnizimit publik ishte e ndashme, por kusht për ndarje ishte rajonizimi i relacioneve të udhëtimit, që nuk lidhen vetëm për një shkolle, por për më shumë shkollash.
Nga evaluimi i ofertave doli se vetëm Durmo Turs përveç se i plotësonte kushtet teknike në aspekt të mjeteve transportuese, kishte konkuruar në të gjithë lëndën e furnizimit publik, pra në të gjitha shkollat dhe në të gjitha relacionet e udhëtimit të nxënësve, ndërsa Bashkim Turs vetëm në një pjesë që nuk korrespondonte me lëndën e furnizimit publik.
Durmo Turs përveç që i plotësonte të gjitha kushtet, ofronte mundësinë e transportimit të nxënësve me çmime në bazë të tarifes publike të transportimit. Kjo mundësoi që dotacioni financiar për arsim të mund të planifikohet në mënyrë më racionale, ashtu që të krijohen mundësi edhe për  plotësimin e nevojave tjera emergjente për mirëmbajtjen e shkollave.

Paralelisht me procedurën e tenderimit  në bashkëpunim me shkollat u bë azhurnimi i regjistrave të nxënësve, që rezultoi se 3840 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme e gëzojnë të drejtën e transportit falas.
Pas përmbylljes së procedurës së tenderimit u përzgjodh Durmo Turs si ofertues më i volitshëm dhe në fillim të Shatorit 2009 u lidh kontrata për transportin e nxënësve deri më 31 dhjetor 2009, me përfundimin e vitit buxhetor. Në kontratë u parashkikua mundësia e angazhimit të nërealizuesve, në mënyrë që të krijohen mundësi punësimi për transportuesit e vegjël, që nuk i plotësonin kushtet e tenderimit.

Kostoja reale e mbulimit të shpenzimeve të transportit falas për 3840 nxënës  rezultoi me shpenzime reale mujore prej 5.216.992 denarë dhe në nivel vjetor (9 muaj – aq sa zgjat viti shkollor) prej 46.952.928 denarë. Përshtatja e çmimeve sipas kostos së tarifes publike të transportit rezultoi me një kursim të mjeteve nga dotacioni për arsim deri në 20%, që mundësoi krijimin e mjeteve për  mbulimin e nevojave tjera emergjente për mirëmbajtje të shkollave, ku vazhdimisht paraqitet deficit evident.

Për të gjitha këto shërbime me transportuesin Durmo Turs nga Gostivari në cilësinë e operatorit kryesor, është kontraktuar 10% provizion legal nga i cili 5% është i destinuar për mbulimin e TVSH-së për nënrealizuesit të cilët për shkak të karakterit të ndërmarrjeve të vogla, nuk janë obligues të TVSH-së dhe 5% për mbulimin e shërbimeve që Durmo Turs i ka për menaxhimin e këtij shërbimi.

Këto shërbime kanë të bëjnë me lidhjen e kontratave me nënrealizuesit, shenjëzimin e mjeteve të transportit me transparente për transport shkollor, kontrollin teknik të automjeteve transportuese, kontrollin e orarit të transportit në bashkëpunim me shkollat, pagesën e shërbimeve ndaj nënrealizuesve, kompensimin e shumave të parapara prindërve të nxënësve, që nuk kishte mundësi të përshihen në transport grupor.

Mënyra e re e tenderimit mundësoi të rrritet numri i transportuesve nga 40 automjete të kombinuara në 70, të përfshihen të gjithë nxënësit që e gëzojnë të drejtën e transportit, të ruhet shpërndarja e operatorëve në cilësinë e nënrealizuesve sipas kriterit të rajonit, të ruhet komponenta sociale e mbrojtjes së transportuesve në nivel të fitimit real në bazë të punës, të kompensohen shpenzimet e nevojshme të atyre nxënësve që vijnë prej qyteteve tjera dhe të atyre që nuk mund të përshihen në transportin grupor.

Për shkak të afateve që i parashikon Ligji për furnizime publike në bazë të shumës financiare që lidhet me lëndën e furnizimit publik, në fillim te Tetorit 2009 u ripërtrinë kontratat për furnizim grupor në mes shkollave dhe komunës dhe Komisioni për furnizime publike më 19.10.2009 hapi shpalljen publike për transportin e nxënësve   për vitin 2010. Në afat ligjor u paraqitën në këtë shpallje firmat me sa vijon: Aleks Trade Tumcevisht, Durmo Turs Gostivar, Mirto Sherif Rostushe, Baki Kompani Gostivar, Zhas Bus dhe Euro Turist Gostivar, Buki Bujar Debresh, Rojal Xhesko Gostivar, Ar – Es Kompani Gostivar, Citron Trans Gostivar, Nuhi Kompani Gostivar, Ballkan Tours Rostushë.

Gjatë evaluimit të ofertave Komisioni konstatoi se kushtet e parashikuara i plotësonin përsëri vetëm dy operatorë: Durmo Turs vetëm si dhe Zhas Bus dhe  Euro Turist, që kishin konkuruar sëbashku si një operator. Durmo Turs kishte konkurruar në tërë lëndën e furnizimit publik, ndërsa këto të fundit bashkë, vetëm për disa relacione që nuk përbënin një tërësi rajonale të transportimit.

Të gjitha fazat e procedurës së tenderimit janë respektuar në përputhshmëri me rregullat ligjore, deri në përfundimin e saj me lidhjen e kontratës për transportimin e nxënësve me Durmo Turs më 31.12.2009 për vitin buxhetor 2010, nën kushte të njëjta si në periudhën paraprake Shtator – Dhjetor 2009.

Paralelisht me procedurën tenderuese gjatë muajit Nëntor dhe Dhjetor 2009 është bërë edhe njëherë azhurnimi i regjistrave të nxënësve që e gëzojnë të drejtën e transportit falas dhe është konstatuar që për shkak të migrimeve  numri i nxënësve prej 3840 është zvogëluar në 3824, që në nivel mujor nënkupton shpenzime financiare prej 5.194.150 den. ndërsa në nivel vjetor 46.747.350 den.

Është konstatuar se numri i nënrealizuesve për transportimin e nxënësve gjatë vitit 2010 duhet të mbetet i njejtë, me mundësi intervenimi në fillim të vitit shkollor 2010/2011, që nënkupton se mund të ndryshojë numri i nxënësve dhe kjo do të rregullohet me aneks kontratë që do të lidhet me operatorin kryesor.

Nga të gjitha këto analiza objektive dhe transparente, mund të konstatohet se është bërë një punë e nevojshme analitike rreth transportit që mundësoi një pasqyrë të qartë rreth keqemanxhimit në periudhën e kaluar.

Numri më  i vogël i operatorëve transportues dhe mungesa e pasqyrave tabelare numerike, tregon qartë se shpërndarja jo transparente e nxënësve në krahasim me numrin e transportuesve dhe kapacitetin teknik të operatorëve në periudhën e kaluar, ka krijuar mundësi korruptive dhe keqpërdorim të mjeteve financiare.

Njëherit është vendosur një komunikim interaktiv në mes shkollave dhe komunës për trajtimin e këtyre problemeve dhe kjo jep mundësi që të aftësohen administratat e shkollave, që në të ardhmen të munden të bëjnë realizimin e furnizimeve publike në mënyrë të pavarur..

Në përcjellje të vazhdueshme të këtij fenomeni që prej vjeshtës së vitit 2009 dhe në gadishmëri për minimizimin e problemeve të mundshme janë vënë së bashku shumë faktorë: Udhëheqësia komunale, Seksioni për komunikacion dhe rrugë, Drejtoritë e shkollave, Operatori kryesor për transport Durmo Turs, prindërit dhe vetë nxënësit të cilët tani më vetë vijnë dhe i parashtrojnë problemet e tyre në Komunë dhe në Durmo Turs.

Transporti i nxënësve është dukuri që sanksionohet me ligj, e gjithë procedura e menaxhimit dhe tenderimit është bazuar në ligj, andaj për çdo informatë shtesë, të gjithë ju dhe të interesuarit tjerë mund të kenë qasje duke shfrytëzuar edhe mundësinë që e garanton Ligji për qasje të lirë në informata me karakter publik (Gazeta Zyrtare e R. Maqedonisë nr.13/06)

Komisioni për furnizime publike – Komuna e Gostivarit

Naxhi Xhelili     - Kryetar 
Naxhi Ismaili    - Anëtar
Nuri Bajrami   - Anëtar    
konkluzdttrimg.jpg

 
< I mëparshmi   Tjetri >

Aktuale

konkurse.png
furnizime-publike.png

Linqe

usaid.gif
undp1.gif
eu-ear.gif
unicef.png
sudep.gif
euinfocentre.jpg
zels3.jpg
euinfopoint.jpg
mldinf.jpg
recycle_arow_2.jpg

Vizitorë

Momentalisht janë 7 vizitorë online